Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me veprimin e tij të fundit, pra me vendimin për dërgimin e policisë së trafikut në veri të Kosovës, “dëshiron ta rrëzojë Marrëveshjen e Brukselit”. Sipas fjalëve të tij, “Ai po mundohet në çdo mënyrë që të bëjë një pushtim të heshtur të veriut të Kosovës”, transmetojnë mediat serbe të kontrolluara nga pushteti.
Petkoviq ka thënë për televizionin serb “TV Pink” se prania e djeshme e patrullave të policisë së trafikut të dërguara nga Kurti për ndarjen e vërejtjeve për vozitësit e veturave me tabela ilegale “KM”, “ka shkaktuar shqetësim te qytetarët, për çka kanë reaguar përfaqësuesit institucionalë të popullit serb, të cilët kanë thënë qartë se policët serbë nuk do të japin vërejtje për shkak të targave KM”.
“Ky dërgim tregon se Kurti dëshiron të shembet Marrëveshja e Brukselit, veçanërisht pika 9 që i referohet policisë. Nuk ka nevojë të dërgohen policë shqiptarë në veri, është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, ku thuhet se përbërja e Policia në veri do të pasqyrojë strukturën nacionale. Prishtina po ndërton katër baza në zonën e gjelbër ku juridiksion “ka vetëm KFOR-i”, dërgojnë policë nga jugu për “të ngacmuar” serbët në veri dhe arsyeja e vërtetë është të detyrojnë policët serbë të ndëshkojnë serbët me targa KM. Asnjë serb, asnjë polic serb nuk e dëshiron këtë sepse ky është “vendim politik” kundër serbëve”, ka pretenduar Petkoviq.
Ai pretendon se “Prishtina me të gjitha mjetet po përpiqet që në heshtje të pushtojë veriun e Kosovës”.