Drejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti ka pezulluar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriç, pasi refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë sa i përket targave.
Inspektorati Policor i Kosovës kërkoi pezullimin e Gjuriçit mbi bazën e “mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare”.
Sipas njoftimit, Gjuriç akuzohet për veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrje për rezistencë”. Sidoqoftë, vendimi i institucioneve të Kosovës është dënuar ashpër nga Serbia.
Përmes një konference të jashtëzakonshme, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç u shpreh se Gjuriçi u largua nga detyra për shkak se “ai qëndroi në mbrojtje të popullit serb”.
“Ata nuk duan të marrin pjesë në persekutimin e popullit serb, sepse nuk është ky qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ku është gabimi kur Gjuriçi tha se nuk do të marrë pjesë në vendimet e [kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, të cilat janë politike”, tha ai.
Petkoviç shtoi se për çështjen e suspendimit të drejtorit të policisë në veri ka biseduar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilit, siç tha, i ka treguar se Kurti “nuk ka të drejtë të zëvendësojë” drejtorin e policisë për rajonin e veriut.