Njohës të sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovë, kanë demantuar mediat serbe të cilat manipuluan me shifra për protestën e sotme në veri të vendit.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se në protestën që u mbajt në veri të Kosovës kanë marrë pjesë më pak se 1 mijë persona, të cilët duhet mirëkuptuar pasi janë viktima të Listës serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas tij, në pjesën veriore jetojnë deri 30 mijë banorë serbë, shtetas të Republikës së Kosovës.
“Në protestë po marrin pjesë më pak se 1000 prej tyre, me siguri shumica të detyruar përmes formave të kërcënimit dhe frikësimit. Shumicën e protestuesve duhet parë edhe si viktima të Listës serbe, Radojçiqit dhe vetë Vuçiqit, andaj edhe duhet mirëkuptuar të njëjtit”, ka shkruar ai në Facebook.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka thënë se për ta fshehur numrin e vërtetë të protestuesve serbë, sot fati ishte me ta në Mitrovicë.
“Shiu ua dha mundësinë që të rrinë më rrallë me njëri-tjetrin, e të duken normal. Gjersa për 4 metra katror, siç shihet në video janë 18-20 pjesëmarrës, në kohë me shi, me ombrella hapur, në të njëjtën hapësirë qëndrojnë 4-6 pjesëmarrës. Sipas llogaritjeve, i bie qe nëse ne protesta te sotme, mediat me pro-pushtetit kane thënë se janë 10.000 protestues, atëherë ne protestën e sotme ne Mitrovice kane qene afër 1.000. ASNJE ME SHUME!”, ka shkruar Musliu në Facebook.