Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka premtuar përkujdesje për serbët të cilët janë dorëhequr nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.
Kështu u shpreh ai të mërkurën derisa tha se organet shtetërore të Serbisë do t’i punësojnë policët si Nenad Gjuriçi dhe Aleksandar Filipoviç, shkruan televizioni publik serb.
“E ardhmja e tyre (Gjuriqit e Filipoviqit) është e shkëlqyer. Ata do të punojnë në organet shtetërore të Serbisë, sigurisht që nuk do të kenë të ardhura më të ulëta, përkundrazi. Do të bëjnë punë e tyre, për vendin e tyre, për popullin e tyre. Janë të rinj, ka ende shumë detyra të rëndësishme përpara tyre. Nuk do të dalin pension, nuk do të jenë në rrugë. Askush nuk do të jetë në rrugë, mes 3000 deri 3500 njerëz, do të kujdesemi për të gjithë. Mund të vonohemi një, dy apo tri ditë, por jo më gjatë se një muaj”, tha Vuçiçi.
Vuçiç gjatë konferencës për media ka paralajmëruar se do të takohet me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Në Paris do të takohem me Josep Borrellin dhe Lajçakun e besoj edhe me presidentin Emmanuel Macron. Të shohim se çfarë takimesh tjera do të ketë në Paris”, tha ai.