Janusz Bugajski, ekspert për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA) kërkon që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos e shtyjnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai i tha ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde se sa më shumë që shtyhet njohja reciproke, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq aq më shumë do ta destabilizojë rajonin.
“Ne e pamë se ku çuan thirrjet për “de-përshkallëzimin” me Putinin. Sa më gjatë të vonojnë BE-ja dhe SHBA-ja në shtyrjen e njohjes reciproke Serbi-Kosovë, aq më shumë Vuçiq do ta destabilizojë rajonin”, ka shkruar ai.
Këtë koment, Bugajski e bëri pasi ambasadori Rohde shkroi se është “absurde të rrezikosh konfrontim të dhunshëm për targa”.
“Nevojitet urgjentisht vullnet politik për depërshkallëzim dhe kompromise bazuar në marrëveshjet e Brukselit! Absurde të rrezikosh konfrontim të dhunshëm për targa derisa Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.