Zgjedhjet në veri – Njohësit: Mospjesëmarrja e serbëve mund ta kontestojë procesin

Lajme

Zgjedhjet në veri – Njohësit: Mospjesëmarrja e serbëve mund ta kontestojë procesin

Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 19:54
Pamje nga veriu

Mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet në katër komunat veriore mund ta kontestojë  legjitimitetin e tyre dhe mund të ketë ndikimin në faktorin ndërkombëtar. Kështu kanë vlerësuar njohësit e sistemit të drejtësisë. Derisa, disa qytetarë serbë janë shprehur se do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, kurse kundër zgjedhjeve janë shprehur nga iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”.

Qytetarët serbë kanë dhënë vlerësime të ndryshme për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen më 18 dhjetor në katër komunat e veriut të vendit.

Pavarësisht se partia më e madhe nga ky komunitet, Lista Serbe ka deklaruar se nuk do marrin pjesë në këto zgjedhje, disa qytetarët janë shprehur se do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Nuk e di nëse do të mbahen, por serbët duhet të dalin në këto zgjedhje. Po do të dalë pse jo, kam letërnjoftim të Kosovës”, tha Bojan Premoviq – Qytetar serb.

“Zgjedhjet zakonisht mbahen kur ka ndonjë krizë, këto dorëheqjet e kryetarëve të komunave është një protestë kundër politikës së udhëheqësve shqiptarë. Unë gjithnjë dalë në votime pavarësisht kush i organizon ato”, tha Branisllav Miliq – Qytetar serb.

Derisa, kundër këtyre zgjedhjeve janë shprehur nga Iniciativa Qytetare ‘Mbijetesa serbe’ në veri të Mitrovicës, të cilët kanë thënë se nuk do të kandidojnë në këto zgjedhje.

“Në këtë atmosferë jo kurrsesi, ndërsa mendoj se 18 dhjetori është periudhë e shkurtër për të organizuar zgjedhje. Ne edhe duke qenë policia vitin e kaluar nuk kemi pasur zgjedhje fer dhe demokratike, se jo më tani pa polici dhe veç kësaj edhe qytetarët tanë shumica e të cilëve mendojnë se duhet bojkotuar këto zgjedhje, andaj mendoj se nuk ka kuptim as ne të kandidojmë si Iniciativë Qytetare”, tha Aleksandar Arsenijeviq – Kryetar në Iniciativën qytetare “Mbijetesa Serbe”.

Kurse, sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, këto zgjedhje janë mundësi e artë për serbët e Kosovës sepse e kanë mundësinë të votojnë për ata që promovojnë interesat e komunitetit dhe jo ata të klaneve të ndikuara nga Beogradi.

Ndërkaq, sipas njohësve të drejtësisë, mospjesëmarrja e serbëve mund të ndikojë në legjitimitetin e zgjedhjeve dhe mund të vihet në dyshim që ato të njihen nga faktori ndërkombëtar.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve si pasojë e kundërshtimit të tyre për të mos respektuar vendimin për targat ilegale. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat