Fatmir Sheholli nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike ka theksuar serbët në veri janë të frikësuar, derisa situatën atje ai e ka konsideruar si të acaruar.
"Nga hulumtimet, studimet dhe opinionet që jemi duke i bërë ditë për ditë, shohim se qytetarët e nacionalitetit serb janë të shqetësuar por edhe të frikësuar, dhe kjo na bënë që të gjitha veprimtaritë që janë duke u ndërmarrë në atë pjesë, duke filluar prej bojkotit apo largimit të serbëve nga institucionet, e kanë bërë shumë të vështirë jetën atje për të gjithë qytetarët", ka theksuar Sheholli.
Ai ka theksuar se edhe pse kanë kërkuar nga kryeministri dhe presidenti që të bashkëbisedojnë me qytetarët serbë, sipas tij një gjë e tillë kurrë nuk ka ndodhur.
“Ne tani e një vit e gjysmë, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, si Institut për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, iu kemi drejtuar në formë publike mos të thamë 100 herë, por shumë here, ngase e kemi parë situatën që do të vijnë dhe të bashkëbisedojnë me kryeministrin dhe presidentin e vendit të vet ngase edhe ata janë përfaqësues edhe të atyre, por kjo nuk ka ndodhur kurrë”, ka theksuar Sheholli.
Ai madje ka shtuar se pasojë e një situate të tillë është edhe mosbisedimi me qytetarë të Republikës, por edhe ata që kanë qenë si opozitë e Listës Serbe, janë kthyer kundër Qeverisë, duke treguar një unifikim të jashtëzakonshëm kundër vendimeve që Qeveria i ka marrë me tabelat dhe situata me përshkallëzimet tjera.
Sheholli ka nënvizuar se kryeministri dhe Qeveria duhet t’i merr parasysh këshillat e aleatëve, sikur janë SHBA-të, në të kundërtën do të futemi në një 'labyrinth' pa rrugëdalje dhe në rreziqe mjaft serioze.