“Demarkacion institucional të veriut nga Prishtina” ka kërkuar Partia Popullore e Serbisë që udhëhiqet nga ish-kryediplomati serb, Vuk Jeremiç.
Këtë kërkesë e artikuloi nënkryetarja e kësaj partie Sanda Rashkoviç Iviç, e cila kërkoi që “Vuçiç të shfrytëzojë krizën në veri” për të synuar kornizë të re negociatash Kosovë-Serbi.
“Duhet të kthehemi në vitin 2012 pasi Marrëveshja e Brukselit ka vdekur”, ka thënë politikanja serbe, siç njoftoi kjo parti në uebsajtin e tyre.
Mes tjerash, kjo parti opozitare ka kundërshtuar edhe planin franko-gjerman e cila ndërtohet mbi modelin e dy Gjermanive, si “e papranueshme për Serbinë”.
“Është njohje de facto dhe de jure e Kosovës si shtet, dhe një politikë aktive duhet të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Është e mundshme. Nëse Vuçiç përmbush premtimin e bërë ndaj deputetëve dhe Partisë Popullore Serbe të bërë në shtator”, ka thënë ajo.
Aleksandar Vuçiç në një seancë parlamentare në muajin shtator ua ka aprovuar kërkesën kësaj partie që t’u dërgohen letra presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, që në rast të futjes në rend dite të anëtarësimit të Kosovës në OKB, Federata Ruse dhe Kina ta bllokojnë atë me veto në Këshillin e Sigurimit.