Lajmi më i çuditshëm i publikuar sot nga mediat në Beograd, është nxjerrja e një “raporti sekret”, i cili duket qartë që vjen nga nëntoka e shërbimeve sekrete.
Raporti flet për një zhvillim që s’ka logjikë në vetvete, pasi ngre alarmin e dërgimit të ushtrisë së Kosovës në veri, me urdhër të Albin Kurtit.
Por ky lajm, i cili ka gjetur botim edhe te “Danas”, duhet marrë realisht si një shqetësim real nga ana e Beogradit se, Prishtina nuk do ta lërë veriun e Kosovës në kontrollin serb.
E në fakt këtë e thotë edhe dokumenti i publikuar, që duket natyrshëm që ka dalë nga drejtoria e dizinformimit të BIA. Sipas dokumentit, Albin Kurti do të ndryshojë realitetin 20 vjeçar, për të marrë totalisht kontrollin e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Raporti thekson se Kurti dëshiron të vendosë që edhe në Veri të mos jetë serbishtja gjuha e vetme e zyrtare në dokumentet e pushtetit vendor, policisë, administratës etj., por ashtu siç thuhet në Kushtetutën e Kosovës, çdo dokument duhet të shkruhet shqip, serbisht dhe anglisht.
Frika e shërbimit sekret serb fshihet pas shkërmoqjes së planit për bojkotin e të gjitha institucioneve të Kosovës. Ky plan siç dihet nuk funksionoi, pasi 10 deputetët e Listës Serbe u zëvendësuan brenda ditës, po nga lista pritëse e së njëjtës forcë politike.
Raporti i BIA-s, siç bën të ditur “Novosti”, thekson se ata janë të blerë nga SHBA dhe Albin Kurti.
“10 deputetët e shitur do të votojnë për dërgimin e ushtrisë së veri”, shkruan “Novosti”.
Më tej raporti thotë se pritet një ndryshim ligjor që të lejojë dërgimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në kufi me Serbinë. Ky vendim kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, e duke pasur parasysh se të gjithë partitë do ta votonin, diferencën e bëjnë deputetët serbë. Por edhe nëse opozita nuk e pranon, vetëm me 10 deputetët serbë dhe ata të partive të tjera, Albin Kurti e ka siguruar shumicën, thotë “Novosti”, duke cituar raportin e BIA.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, votat e deputetëve serbë janë gjithashtu vendimtare për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës zyrtare, arsimin apo vetëqeverisjen lokale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi dje pas takimin me partitë serbe të veriut të Kosovës se Prishtina ka nisur një aksion operacional për dëbimin e serbëve nga veriu. Ai tha se ky aksion ka tre synime.
E para është legalizimi i pozitës së ushtrisë së Kosovës, përmes ndryshimeve në Kushtetutë.
E dyta është – edhe përmes ndryshimeve në aktin më të lartë ligjor – heqja e së drejtës së përfaqësimit të serbëve me 10 deputetë në Kuvendin e Prishtinës, sepse pa votat e përfaqësuesve serbë, ligjet kushtetuese nuk mund të kalojnë, siç janë përdorimi i gjuhës, mbrojtja e trashëgimisë kulturore etj.
Dhe qëllimi i tretë i Kurtit, gjithmonë sipas mediave serbe, është që të vazhdojë të zyrtarizojë vendosjen e forcave speciale të sigurisë në veri, nën sloganin e luftimit të krimit. Deklaratë që qartësisht vërteton se raporti i shërbimit sekret serb është miratuar nga Vuçiç.