Policia tregon se çka gjeti pas bastisjes në shtëpinë e Vali Corleones

Lajme

Policia tregon se çka gjeti pas bastisjes në shtëpinë e Vali Corleones

Nga: M.L. Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 15:13
Vali Corleone

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me bastisjen e shtëpisë së Vali Corleones në Gjilan.

Nëpërmjet një komunikate për medie bëhet e ditur se është realizuar operacioni policor në Gjilan nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘pastrim i parave’.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me saktësisht nga Sektori për Hetime Financiare, sot më 24.11.2022 në Gjilan kanë zhvilluar operacionin e kontrollit të shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar me qëllim të sigurimit të dëshmive materiale në lidhje me veprën penale ,,pastrimi i parave “ të cilën i dyshuari dyshohet ta ketë konsumuar gjatë periudhës kohore - tetor 2022. Kontrolli është realizuar duke u bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, i dyshuari përmes rrjetit social ,,Tik-Tok“ ka prezantuar për publikun para me ngjyrë të cilat dyshohet të jene përfituar nga kryerja e veprave penale të ndryshme.

“Gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave si dhe një telefon celular.

I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, dyshohet të jete në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Të gjitha veprimet hetimore dhe operative janë zhvilluar me autorizimin e Prokurorisë Speciale te Republikës se Kosovës”, përfundon njoftimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat