Serbia s’e lejon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, së paku jo pa një betejë, ka thënë Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiç.
Daçiç pas takimit me homologun islandez të tij, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir, shtet ky i cili do të merr presidencën e KiE-së që nga viti ardhshëm, ka thënë se “e paralajmërova për kompleksitetin e anëtarësimit të Prishtinës në Këshill të Evropës”.
Anëtarësimin e Kosovës në KiE, Daçiç e quajti “shkatërrim të parimeve” të cilat përdoren ndaj integritetit territorial të Ukrainës.
Mes tjerash, Daçiç dha edhe një krahasim kontraverz për rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe Krimesë me Kosovën.
“Jam i gatshëm të duartrokas kur në samit thuhet se Krimea dhe Donjetsku janë pjesë të Ukrainës”, por, vazhdoi ai, “do të them se Kosova është Serbi, por s’jam i sigurt që do të marr duartrokitje”.
“Kjo flet shumë standardet e dyfishta”, ka thënë ai për agjencinë serbet të lajmeve Tanjug.