Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot se vendi që e udhëheq është shumë pranë Rusisë. Derisa sërish ka pretenduar se janë të përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh ai, pas arritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Pas pritjes në sheshin Italia, Vuçiq ka treguar se pse ka vendosur që të jetë pjesë e këtij samiti.
Vuçiq: Vendosëm që të vijmë dhe të diskutojmë të gjitha çështjet
“Pati një sërë çështjesh të ndryshme, disa reagime gjysmë zyrtare për çështjen e Kosovës, për çështjen e dialogut. Faktikisht kjo ishte arsyeja kryesore por në fund pas konsultimeve që zhvilluam brenda shtetit vendosëm që të vijmë dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, sepse do të kemi këtu një mundësi së paku të themi se çfarë mendojmë për këtë dhe të mbetemi të përkushtuar ndaj procesit të dialogut. Brenda procesit të negociatave me BE-në mbetemi të vendosur në rrugëtimin drejt BE-së, por në të njëjtën kohë do të na duhet të mbrojmë interesat tona shtetërore e kombëtare në përputhje me kushtetutën tonë”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai para gazetarëve ka pretenduar se është shkelur integriteti i Serbisë.
Vuçiq: Është shkelur integriteti territorial i Serbisë në mënyrën më të tmerrshme
“Kemi një situatë ndryshe sa i takon integritetit territorial të Serbisë që është shkelur në mënyrën më të tmerrshme në vitin 99 dhe në vitin 2008 dhe do të diskutojmë sot me zyrtarët evropianë”, ka shtuar ai.
Vuçiq ka thënë se janë pranë me Rusinë, derisa është pyetur për raportet me këtë vend.
Vuçiq: Serbia është shumë pranë Rusisë, Serbia është një vend i pavarur
“Serbia është shumë pranë Rusisë, Serbia është një vend i pavarur. Nëse është e lehtë për dikë që të na kritikojë e të thotë që ne jemi afër me Rusinë... Duke folur për këtë gjë besoj se ju keni dëgjuar, e disa prej jush keni shkruar gjatë 9-10 muajt e fundit se Serbia po udhëhiqte udhëzimet e Federatës Rusë për të sulmuar të tjerët në Ballkan për të shkaktuar më shumë mungesë stabiliteti e për të shkaktuar pasiguri. Dhe ne e kemi përgënjeshtruar këtë”, ka përfunduar ai.
Kjo është hera e parë qe Tirana mirëpret krerët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.