“Përfshirja e ShBA’së në evitimin e eskalimeve që shkakton Prishtina dhe domosdoshmëria e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”. Ishin këto dy “thekse” që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ia përçoi ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Vuçiç përmes një njoftimi në Instagram, tha se ambasadorin Hill pati “bisedë të hapur dhe konkrete” për zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi, si dhe për “propozimin e BE-së” për vazhdimin e dialogut.
“Bisedë e hapur dhe specifike me ambasadorin Christohpher Hill rreth situatës së sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësitë dhe propozimin e BE-së për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën”.
“Theksova rëndësinë e përfshirjes së ShBA-së në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të shkaktuar nga lëvizjet pothuajse të përditshme të njëanshme dhe të paligjshme të Kosovës dhe ritheksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave [me shumicë] Serbe”, ka shkruar më tej ai.
“Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por është gjithashtu e qartë në mbrojtjen e popullit të saj dhe interesave kombëtare”, ka përfunduar ai.
Ambasadori Christopher Hill, ditë më parë, duke folur për televizionin serb “Insider” ka folur gjithashtu për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, për çka është shprehur se “[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti e kupton që zgjidhja e kësaj çështje duhet të jetë prioritet absolut i tij”.
Ndërkaq për Asociacionin decivid është shprehur edhe zv/ndihmës sekretari ammerikan i shtetit Gabriel Esocbar, i cili këtë të hëne udhëton për në Prishtinë për të takuar Kurtin.
“Asociacioni, po, duhet të bëhet, dhe në fakt, ai do të bëhet”, ka thënë ditë më parë ai në Atlantic Council.