Presidenti Aleksandër Vuçiç, pasi ka bërë të ditur se ka takuar ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e shtabit të ushtrisë serbe, sot në darkë thotë se do të bëjë një njoftim “të rëndësishëm”.
Ndërkaq, sot, të gjitha gazetat ‘skiftere’ të Beogradit janë hapur me titullin e kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë.
Një deklaratë, që në fakt e ka bërë dy ditë më parë edhe kryeministrja e Serbisë, Brnabiç, sigurisht e shtyrë prej shefit të saj.
Vuçiç do të publikojë sonte në darkë një “mal me dokumente” për atë që e cilëson “dhuna e madhe e Albin Kurtit ndaj Serbëve të Kosovës” në Hoçën e Madhe.
Po çfarë është ky “sulm” që mediat serbe flasin për ditë së bashku me krerët e Beogradit?
Para pak ditësh, Dogana dhe policia e Kosovës ka hyrë në shtëpinë e një serbi në Hoçë të Madhe, pranë Rahoveçit, dhe ka sekuestruar 40 mijë litra verë surrogato, të cilën fshatari i Hoçës e prodhonte dhe e shiste kontrabandë. Një veprim krejt logjik, pasi siç dihet në zonën e Rahovecit ka prodhues vere masivisht, ndër ta edhe serbë të cilët e prodhojnë me nipt dhe me inspektim të Autoritetit Sanitar Ushqimor.
Gallata e madhe është se për operacionin e sekuestrimit të verës ka bërë deklaratë edhe Euparkia e Kishës Ortodokse Serbe për “Prizrenin”, e cila shkruan se qeveria e Kosovës po i mundon shumë serbët e kësaj zone.
Edhe pse në dukje është një budallallëk me brirë, i thënë papushim në media, për syrin e të huajve ngjan se ka vërtet një problem.
Por le të kthehemi tek thelbi i çështjes: A e kthen dot Vuçiç ushtrinë serbe në Kosovë?
Në Marrëveshjen e Komanovës, ka një pikë, ku sipas saj nëse vendoset nga OKB, në zonat serbe mund të ketë një forcë ndërkombëtare nën siglën e KFOR, ku të përfshihen dhe ushtarë serbe që veprojnë nën komandën e misionit të NATO-s.
Kjo pikë nuk është zbatuar asnjëherë deri në 2008-n, pra kur Kosova u shpall e pavarur, lëre më sot. Do të ishte një aventurë e pamundur për Beogradin.
Megjithatë Vuçiç e bën gjithë këtë lojë për të përshkallëzuar situatën, e për të marrë në bisedime konçensione nga ndërkombëtarët.
Sipas gjasave, Serbia do të marrë një konçension për të shtyrë zgjedhjet në veriun e Kosovës, të planifikuar më 18 dhjetor. Të martën e të mërkurën mbërrin në Prishtinë dhe Beograd një delegacion i lartë i SHBA i përbërë nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Ka shumë gjasa që të arrihet një moratorium për zgjedhjet në veri, siç ndodhi për çështjen e targave.
Por Vuçiç do të kërkojë largimin e policisë së Kosovës nga veriu, gjë që sipas gjasave nuk do t’ja arrijë, edhe për faj të tij, pasi ra në kurthin e Albin Kurtit, kur përdori kartën e bojkotit të serbëve nga të gjitha institucionet.