Ish-ambasadori Agim Nesho i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në News24 ka folur mbi situatën në veri të Kosovës dhe tensioneve të fundit mes vendit fqinj dhe Serbisë.
Ai deklaroi se “nuk ka asnjë bazë juridike që Vuçiç të kërkojë rikthimin e forcave serbe, është një presion i kotë”.
“Përgatitja duhet të jetë e vazhdueshme sepse Serbia është jo e sinqertë në marrëdhëniet me Kosovën. Ajo që ka mbetur në veri të Kosovës është projektuar nga regjimet nacionaliste serbe si një gur që mund ta lëvizin përherë për të rihapur konfliktin.
Ata mund të bëjnë çdo gjë, çështja është te toleranca e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij rasti. Lloji i shtetit që është pranuar për Kosovën është i lirë dhe i pavarur e multietnik, gjë që grupet nacionaliste nuk janë dakord. Në këtë kuptim ky konflikt mbahet në mënyrë artificiale dhe është toleruar nga BE me shpresën se gjërat do ndryshojnë, se Serbia nuk do ruajë lidhjet tradicionale me Moskën.
Serbia e quan një dështim të turpshëm atë që ka ndodhur gjatë luftës, kërkojnë që të mos pranohet genocidi ndaj shqiptarëve, gjë që ia kanë kërkuar edhe Ramës. Ne duhet të respektojmë të drejtën e një shteti sovran dhe të lirë. Është shprehur qartë se nuk duhet të ketë lidhje mes Serbisë dhe Kosovës, është përcaktuar qartë kjo. Vuçiçi po luan një lojë të avancuar duke pretenduar se në veri të Kosovës policia serbe është larguar dhe quan të pajustifikueshme ndërhyrjen e forcave ushtarake, por është një pretendim i pashpresë. Nuk ka asnjë bazë juridike që Vuçiç të kërkojë rikthimin e forcave serbe, është një presion i kotë.
Ai po pret zhvillimet e luftës në Ukrainë, Vuçiçi mendon se çështja e Serbisë është një nga çështjet që mund të diskutohet ashtu si ajo e Ukrainës dhe Rusisë e cila është e humbura më e madhe në këtë rast por që kërkojnë të krijojnë një ndikim në Ballkanin Perëndimor”, tha Nesho.