Një ditë pasi Kosova dorëzoi aplikimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, zhvilloi bisedë me kryeministrin rumun, shtet ky mosnjohës i pavarësisë së Kosovës, i cili ritheksoi edhe njëherë të njëjtin qëndrim të Rumanisë karshi Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas një deklarate të lëshuar për media nga kryeministria serbe, Brnabiç në bisedë telefonike me Ciuca-n, e falënderoi këtë të fundit “për qëndrimin parimor ndaj Kosovës”.
“Kjo bisedë telefonike përfaqëson shkëmbimin e vazhdueshëm dhe dinamik ndërmjet dy vendeve edhe pas vizitës së Kryeministres së Serbisë në Rumuni në nëntor, ndërsa Brnabiç theksoi se shpreson që së shpejti të pres vizitën e Kryeministrit të Rumunisë në Serbi”, thuhet në komunikatë.
Në fund të muajit nëntor Brnabiç zhvilloi takim me kryeministrin rumun, i cili edhe i kishte konfirmuar qëndrimin e njëjtë në çështjen me Kosovën.
Pyetur nga gazetarët rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nëse ka ndryshim të qëndrimeve rumune, Brnabiç ishte shprehur se “as që i kam pyetur për këtë”, ngase, sipas saj, “atyreve u bëhet presion”.
“Mendoj se secili prej nesh e di që këta pesë shtete anëtare të BE’së që nuk e njohin pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës janë nën presion të vazhdueshëm sepse ka shtete në mesin e shteteve anëtare që ngrejnë në anën e tyre se BE’ja nuk është status-neutrale, dhe është status neutrale”, ka thënë Ana Branbiç, raportoi agjencione serb i lajmeve “Tanjug”.
Brnabiç shprehej se partnerët spanjollë dhe rumunë ia kanë kumtuar “që ata s’e kanë ndërmend të ndërrojnë pozicionin e tyre në çështjen e Kosovës”.