Kryediplomati grek flet me Lajçakun, përmenden tensionet në veri të Kosovës

Lajme

Kryediplomati grek flet me Lajçakun, përmenden tensionet në veri të Kosovës

Më: 19 dhjetor 2022 Në ora: 12:26
Nikos Dendias

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ka thënë se ka biseduar me emisarin evropian, Mirsolav Lajçak rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe tensioneve që janë rritur javëve të fundit.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, Dendias ka thënë se me Lajçak kanë biseduar për hapat që janë ndërmarrë në mënyrë që të ulen tensionet.

“Duke folur për vizitat e mia në Ballkanin Perëndimor këtë javë, pata një bisedë telefonike më herët me emisarin evropian Mirsolav Lajçak rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe përpjekjet e ndërmarra për të ulur tensionet në veri të Kosovës.” – ka shkruar ai.

Ndërkohë, sot janë bërë 10 ditë që prej vendosjes së barrikadave në rrugët kryesore të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut.

Nuk dihet se kur do të bëhet heqja e barrikadave, derisa Qeveria e Kosovës është në pritje të KFOR-it për këtë.

Në anë tjetër mediat serbe kanë raportuar se nxënësit e shkollave fillore do të kthehen sot në mësim teksa ata të arsimit të lartë do të zhvillojnë mësimin online.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat