Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar hapin e mundshëm të ardhshëm të Serbisë në përpjekjen e saj për t’iu përmbajtur Rezolutës 1244 dhe të kërkojë kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë.
Duke iu drejtuar publikut nga Baku të martën në mbrëmje dhe në reagimin e tij ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, ai ndër të tjera tha se në vend që Serbia të marrë përgjigje nga KFOR-i për kërkesën e dërguar së fundi për kthimin e forcave, ne po marrim përgjigje nga të gjithë politikanët, veçanërisht nga Gjermania. Dhe kjo nga ministri i Punëve të Jashtme, përmes, siç tha ai, “ambasadorit të plotfuqishëm në Prishtinë” e deri te fakti që ambasadori gjerman në Beograd i tha se kjo ishte krejtësisht e papranueshme për Gjermaninë.
“A janë bërë komandantë të KFOR-it apo janë bërë anëtarë të Këshillit të Sigurimit, pasi që unë nuk kam qenë i informuar. Në shkallën e dytë, ne mund ta kërkojmë një gjë të tillë nga Këshilli i Sigurimit si dikush që ka votuar për atë rezolutë. Por në fund nuk e kuptova se çfarë lidhje kishte me Gjermaninë?” – tha Vuçiq, shkruan Danas.
Një pjesë e opinionit publik nuk është pajtuar me dërgimin e kërkesës në KFOR dhe tash shtrohet pyetja nëse kërkesa e KS të OKB-së do të arrijë diçka nëse Serbia merr përgjigje negative nga misioni i OKB-së në Kosovë.
Radomir Dikliq, ish-ambasadori i Serbisë në Francë, tha për Danas se çdo shtet anëtar mund t’i drejtohet KS-së, por në këtë rast nuk do të ketë efekt praktik, përveç një diskutimi të mundshëm.
I pyetur nëse edhe një diskutim do të ishte i dobishëm për presidentin Vuçiq për nevojat e publikut vendas, ai u përgjigj se një veprim i tillë mund të ishte një përpjekje për të vazhduar me çmim të ulët “kujdesin” për serbët në Kosovë.
“Në thelb, në KS keni tre anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje, Francën, Amerikën dhe Britaninë e Madhe, prandaj nuk mund të ketë rezultat konkret dhe nuk ka asnjë mundësi teorike që të arrihet diçka”- thekson Dikliq.
Me këtë pajtohet edheanalisti Dragoslav Rašeta, i cili për Danas deklaron se nuk do të ishte një veprim efektiv.
“Nuk mendoj se do të ishte një veprim efektiv, pasi që Rezoluta 1244 përcakton qartë se në cilat raste do të lejohej kthimi i forcave serbe dhe për secilën prej tyre është e nevojshme leja e KFOR-it. Një ankesë në KS të OKB-së nuk do të çonte në një rezultat të favorshëm, duke pasur parasysh se tre anëtarët e përhershëm sigurisht që do ta refuzonin një ankesë të tillë”, thotë Rašeta.
Kujtojmë se më 16 dhjetor në vendkalimin kufitar në Merdare, KFOR kishte marrë kërkesa nga Qeveria e Serbisë për kthimin e njëqind deri në një mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në territorin e Kosovës, duke u thirrur në bazë të Rezolutës 1244.
Mirëpo, KFOR ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar kërkesën, por pa dhënë ndonjë përgjigje.