Në ditën kur serbët po protestojnë në pjesën veriore të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha të enjten se KFOR-i nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Serbisë për të dërguar deri në 1.000 forca serbe në Kosovë.
“Ne presim një përgjigje për këtë kërkesë”, tha Bërnabiq për Televizionin serb Hepi.
Serbia e ka bërë këtë kërkesë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, ndërsa KFOR-i ka thënë më herët se është duke e shqyrtuar atë.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 dhjetor se SHBA-ja është kategorikisht kundër mundësisë së kthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës./REL