Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po rriten. Pas të shtënave pranë një force sigurie të NATO-s në veri të Kosovës, Serbia dërgoi shefin e shtabit në kufi. Ushtria serbe ka një detyrë "të saktë dhe të qartë".
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka dërguar të dielën në mbrëmje shefin e shtabit të ushtrisë në kufirin me Kosovën. Detyrat që i janë dhënë ushtrisë serbe janë "të sakta dhe të qarta" dhe do të "zbatohen plotësisht", tha gjenerali Mojsilovic për TV Pink pas takimit të tij me Vuçiqin në Beograd. Situata në kufi është “e ndërlikuar dhe komplekse” dhe kërkon “prezencën e ushtrisë serbe në periudhën e ardhshme”.
Kosova, me popullsinë e saj kryesisht shqiptare, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende konsiderohet një territor i shkëputur nga Beogradi. Vetëm pak vite më parë, të dy vendet zhvilluan një luftë të përgjakshme. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për dialog, ato kanë qenë vazhdimisht në mosmarrëveshje për vite me rradhë. Beogradi po inkurajon pakicën serbe në veri të Kosovës, në përpjekjet e tyre për të sfiduar autoritetin e Prishtinës.
Tensionet në kufirin me Serbinë u rritën sërish në dhjetor. Të shtënat ndaj policëve gjatë natës dhe një sulm ndaj forcave të EULEX-it me granatë trullosëse, kishin ngritur shqetësimet ndërkombëtare.
Të shtëna me armë në veri të Kosovës
Disa të shtëna kanë ndodhur edhe pranë një patrulle të NATO-s në veri të Kosovës. Nuk ka pasur të lënduar dhe makina ishte e padëmtuar. Kur ndodhën të shtënat u dëgjuan edhe në zonën e Zubin Potokut, thanë të dielën forcat e sigurisë së NATO-s KFOR. KFOR-i nuk tha se nga erdhën të shtënat. Rreth 3760 ushtarë të NATO-s e ruajnë paqen e brishtë në rajon.
Pak para se shefi i ushtrisë serbe të nisej për në zonën kufitare, disa media serbe transmetuan gjithashtu një video të shpërndarë në rrjetet online, në të cilën dëgjoheshin të shtëna armësh. Sipas tyre, këto kanë qenë “përleshje” që kanë ndodhur në orët e para të mbrëmjes. Forcat e armatosura të Kosovës dyshohet se u përpoqën të çmontonin një barrikadë të ngritur më parë nga serbët.
Kjo është mohuar menjëherë nga policia kosovare. Ata thanë në faqen e tyre në Facebook se, asnjë nga punonjësit e saj nuk ishte përfshirë në ndonjë zjarrfikje. Në vend të kësaj, sipas mediave kosovare, një patrullë e Forcave Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR) ishte në zonën e qitjes me armë. Misioni i drejtuar nga NATO, rriti praninë e tij në rajon vetëm pak ditë më parë. KFOR -i fillimisht nuk ka komentuar ngjarjen.
Ka vite që ka tension në veri të Kosovës. Rreth 50,000 serbët atje, nuk i njohin institucionet shtetërore. Protestat e fundit u nxitën nga arrestimi i një ish-oficeri të policisë serbe. Rreth 50,000 serbë vendosën postblloqe në rajon. Ata kërkojnë lirimin e policit të arrestuar dhe angazhime të mëtejshme, përpara heqjes së barrikadave. Qeveria e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it heqjen e barrikadave.
Në funksion të tensioneve në rritje në veri të Kosovës, kryeministrja serbe Ana Brnabiq paralajmëroi së fundmi për një përshkallëzim të situatës. "Ne jemi vërtet në prag të konfliktit të armatosur," tha ajo në Beograd javën e kaluar. Ajo fajësoi qeverinë në Prishtinë për tensionet.
Shkrim i përkthyer nga Sherif Ramabaja