Mediet e huaja: Serbia vë ushtrinë në gjendje të lartë gatishmërie pas rritjes së tensioneve

Lajme

Mediet e huaja: Serbia vë ushtrinë në gjendje të lartë gatishmërie pas rritjes së tensioneve

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 09:20
Aleksander Vuçiq

Medie të njohura ndërkombëtare, përfshirë televizionin publik britanik, BBC, gazetën e njohur britanike, “The Guardian”, dhe agjencinë amerikane të lajmeve, “Associated Press”, kanë raportuar për vendimin e Serbisë për ta vënë ushtrinë në gjendje të lartë gatishmërie në kohën e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Ushtria serbe thotë se është në “nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake” pas disa javëve të tensioneve esklauese mes Serbisë dhe Kosovës. Presidenti Aleksander Vuçiq thotë se “do t’i marrë të gjitha masat për ta mbrojtur popullin tona dhe për ta ruajtur Serbinë”, raportoi transmetuesi publik britanik, BBC.

Kërcënimi me luftë është më i zëshëm se kurrë më parë dhe vjen pas pretendimeve të medieve se Prishtina është duke përgatitur “një sulm” ndaj zonave me serbë etnikë në Kosovën veriore, raportoi më tej ky televizion.

NATO-ja, e cila ka trupa paqeruajtëse në Kosovë, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’i shmangin provokimet. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë sulme ndaj policisë së BE-së ose akte kriminale, shkruan BBC-ja.

Ndërkohë gazeta “The Guardian” raporton: “Kosova veriore ka qenë veçanërisht në tensione që nga nëntori, kur qindra punëtorë etnikë serbë në policinë e Kosovës si dhe në degën e gjyqësorit, si gjykatësit dhe prokurorët, e lanë punën.”

“Prishtina u përpoq që t’i caktonte zgjedhjet lokale më 18 dhjetor në komunat me shumicë serbe, por ato u shtynë, pasi njoftimi shkaktoi zemërim të gjerë dhe partia kryesore serbe tha se do t’i bojkotonte ato”, raporton gazeta e njohur britanike.

“Vetëm disa orë pas vendosjes së barrikadave, policia e Kosovës tha se ka pësuar tri sulme të njëpasjëshme me armë zjarri në njërën nga rrugët që çon në kufi”, shkruan kjo gazetë.

Vendosja e ushtrisë serbe në gjendje të lartë gatishmërie u bë lajm edhe në agjencinë amerikane të lajmeve, “Associated Press”. “Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe komandanti i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë udhëtuan në kufirin me Kosovën, duke e çmuar gatishmërinë luftarake të trupave serbe dhe fuqinë e tyre të zjarrit, përfshirë obusët dhe pajisjet e tjera ushtarake”, raportoi agjencia e njohur.

“Serbia, e cila është armatosur përmes donacioneve e blerjes së armëve nga Rusia, ka qenë duke kërcënuar me luftë e me forcë kundër ish-provincës së saj për një kohë të gjatë. Kosova mbetetet potencialisht pikë e nxehtë në Ballkan vite pas luftës së periudhës 1998-99, e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s”, shkruan kjo agjenci.

Teksti i agjencisë “Associated Press” për gjendjen e lartë të gatishmërisë së trupave serbe është botuar edhe nga televizioni publik amerikan, PBS.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat