Detaje nga rasti i 67-vjeçares në Dragash, e dyshuara pranon se e goditi për vdekje kunatën

Lajme

Detaje nga rasti i 67-vjeçares në Dragash, e dyshuara pranon se e goditi për vdekje kunatën

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 21:57
Dragash

E dyshuara që vrau motrën e burrit në fshatin Kuk të Dragashit, ka pranuar se ka kryer vrasjen.

Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi, ku thuhet se e dyshuara është në ndalim.

“Sektori Rajonal i Hetimeve pas kryerjes së ekzaminimit mjekoligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, me urdhër të prokurorit kanë ri intervistuar kunatën  e viktimës, të dyshuarën N. A e lindur në vitin 1958. Pas ballafaqimit me prova të reja e dyshuara në prezencën e avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen”, thuhet në njoftim.

Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa tash është rikualifikuar si “Vrasje e rëndë”.

Lidhur me rastin sot është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Në njoftim thuhet se janë siguruar prova që vërtetojnë dyshimet se e dyshuara N.A e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që ka shkaktuar vdekjen.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat