Profesori i Fakultetit Juridik në Novi Sad, Bojan Pajtiq, ka deklaruar në emisionin “Newwsnight” të televizionit N1, se hallet e qytetarëve të veriut të Kosovës po përdoren për të promovuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ata arritën një fitore televizive në Pink dhe Informer, dhe një pjesë e votuesve të tyre do ta pranojnë dhe do ta gëlltisin. Ata ngrenë tensione në shoqëri, krijuan një atmosferë jete a vdekjeje, thuajse për 15 minuta Serbia do të hyjë në luftë me dikë… Dhe pastaj shpallin fitore që nuk ka pasur luftë… Mos dhashtë Zoti që të hyjmë në ndonjë lloj të konfrontimit, se nuk do të kishte mbetur asgjë për ne pastaj”, ka theksuar Pajtiq, raporton N1.
Ai shton se “Vuçiq i do serbët e veriut aq shumë, saqë i la në duar të Radoiçiqit dhe Veselinoviqit”.
“Këta janë njerëz që janë cilësuar nga ndërkombëtarët si udhëheqës të një bande të organizuar kriminale. Aty fillon dhe mbaron kujdesi për serbët në Kosovë”, kujton Pajtiq.
Sipas tij, në Listën Serbe ka edhe shtetas serbë, për të cilën parti thotë se është “vazhdim i Partisë Progresive Serbe”.
Kurse, për ngritjen e gatishmërisë ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë, Pajtiq tha se Vuçiq “sigurisht që nuk do të përfundojë si Millosheviqi dhe nuk do të hyjë në luftë me paktin e NATO-s”, sepse ai është “oportunist dhe frikacak”.
I pyetur nëse qeveria ka ndonjë plan për zgjidhjen e problemit në të ardhmen, profesori serb përgjigjet negativisht dhe thekson: “Nuk kanë asnjë plan. Ideja e tyre është që ta zvarritin zgjidhjen e problemit deri në pavetëdije për të ruajtur pushtetin absolut në vend… Është më e rëndësishme të mos humbasin një votë sesa të humbin një jetë”.
Mirëpo, Pajtiq dënoi vendimin e kryeministrit Albin Kurti që ndaloi hyrjen e Patriarkut Porfirije në Kosovë.
“Nuk është një veprim i mençur… Disa nga lëvizjet e tij janë të vrazhda, të papranueshme dhe jo diplomatike”, theksoi ai.