Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ndonëse u tërhoq nga barrikadat në veri të Kosovës, pas presionit të madh të ndërkombëtarëve, duket se nuk ka bërë të njëjtën gjë me retorikën e ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Vuçiç, ashtu siç presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Volodomyr Zelenskyn për përkrahje të nazizmit, në tentativë për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, ka akuzuar Kurtin për të njëjtën gjë.
Në një deklaratë për mediat serbe, Vuçiç është shprehur se Kurti “është ithtar i ideologjisë së Enver Hoxhës”, dhe ish-ministrit të Brendshëm Xhafer Deva.
“Të gjitha planet dhe programet e tij bazohen në Lidhjen e parë të Prizrenit në vitin 1889, Lidhjen e dytë të Prizrenit në vitin 1943, kur u themelua lëvizja Balli Kombetar, pastaj Lidhja e tretë e Prizrenit, e cila u themelua në Nju Jork dhe na shkaktoi më së shumti dëme. Kjo është ideologjia e tyre dhe Xhafer Deva, një burrë nga Mitrovica e Kosovës, punonjës i Abwehr-it, i cili ishte i pari që iu bashkua forcave pushtuese naziste”, deklaroi Vuçiç.
“Kurti ëndërron të jetë Enver Hoxha, prandaj nuk e duron dot kryeministrin shqiptar Edi Ramën. Dëshiron të jetë një përzierje e Enver Hoxhës dhe pak Zelenskit. Ja pse i bën gjithë këto deklarata të pakuptimta se “Vuçiq është një Putin i vogël”. E gjithë kjo nuk na intereson, ne jemi të interesuar vetëm ta lëmë popullin serb të qetë. Të gjitha këto janë ëndrra boshe, ai mund të ëndërrojë vetëm për këtë”, tha Vuçiç.