Që nga invazioni rus i shkallës së gjerë të Ukrainës nga 24 shkurti një nga shqetësimet më të mëdha ka qenë edhe ndikimi destruktiv e malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dy pika veçanërisht me potencial ndezje ku Rusia shihej me dyshim se mund të ushtrojë ndikimin e saj, ka qenë entiteti serb i Bosnje-Hercegovinës “Republika Srpska” dhe pjesa veriore e Kosovës.
Ndonëse asokohe dukeshin periferike për të përbërë një ndryshim, Veriu i Kosovës i mbajti të zënë udhëheqësit e BE’së, por edhe ato të ShBA’së.
Krizat e njëpasnjëshme në Veri, prej afisheve të targave, në targat e paligjshme “KM, PZ etj”, lejeudhëtimeve, dhe së fundmi shpallja dhe pezullimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore, ishin terrene që Rusia i shfrytëzoi jo pak.
Prej vizitës që ambasadori rus, Aleksandar Boçan Harçenko, u kishte bërë forcave ushtarake serbe në Rashkë vitin e kaluar, e gjer te “instruksionet konkrete” që ky i fundit i morri nga Kremlini në lidhje me pjesën veriore të Kosovës, elementi rus ka qenë një gjë për t’u brengosur.
Mu në kohën e tensioneve të mëdha që erdhën si pasojë e barrikadimit të Veriut, Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse, Maria Zakharova, deklaroi se Kremlini “i ka dhënë instruksione për të ndërmarrë hapa konkrete” ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Harçenko.
Siç shprehej zëdhënësja, Kremlini “po pret reagimin e Beogradit” për këto instruksione, dhe se ato kanë të bëjnë “me mbështetjen ruse ndaj Serbisë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve” Kosovë-Serbi.
“Sa për ambasadën në Beograd, ambasadori rus në Serbi, i cili është në kontakt të ngushtë me lidershipin serb, ka marrë instruksione për hapa konkrete të mbështetjes, të cilat konsistojnë në normalizim dhe propozime për mënyra si të normalizohet situata. Po presim reagimin e Beogradit”, ka thënë Zakharova.
Mu pas deklaratës së Zakharovës, Aleksandar Boçan Harçenko doli me deklaratë se “Federata Ruse i kupton problemet e serbëve të Kosovës sikur të ishin të saj” derisa “ngritjen e gatishmërisë ushtarake të Ushtrisë Serbe deri në gatishmëri të përdorimit të forcës” ai tha se Rusia e mbështet, dhe se një veprim i tillë “korrespodon me realitetin në terren”.
“Njerëzit në Serbi e dinë se gjithherë mund të mbështeten te Rusia, pavarësisht sfidave serioze që ka vendi ynë në kontekstin e ballafaqimit me NATO’n, e cila na u është imponuar”, deklaroi Harçenko.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Federata Ruse vazhdon të mbështesë Serbinë në garantimin e të drejtave ligjore të serbëve në Kosovë, derisa mohoi se Rusia është përfshirë në situatën në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për “Spiegel” këtë muaj tha se forcat paramilitare ruse të quajtura “Wagner” kanë arritur në Serbi derisa shtonte se Beogradi ka 48 baza ushtarake në kufi me Kosovën.
Bashkëpunimi serbo-rus, Kurti e kishte vlerësuar edhe deri të asaj pike të dërgimit të mercenarëve të “Wagner” në Serbi.
Forca “Wagner” ka zhvilluar një reputacion famëkeq në vitet e fundit, pasi është akuzuar për krime lufte në konfliktet e ndryshme në të cilat ka marrë pjesë.
Edhe pse paraqitet si një kompani private ushtarake, grupi konsiderohet një ushtri personale e presidentit rus Vladimir Putin.
Në anën tjetër, e djathta ekstreme serbe ka deklaruar se forcat “Wagner” mund të jenë ndihmues në rast të një konflikti në Kosovë.
Ekspertët perëndimorë kanë paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme për potencialin për përçarje të shkaktuar nga aleatët e ekstremit të djathtë të Rusisë në Serbi, të shfaqura në demonstratat në rrugë në ditët e para të pushtimit të Ukrainës dhe të nënvizuara nga deklaratat e disa liderëve serbë mbi luftën dhe refuzimin e qeverisë serbe për t’u bashkuar me sanksionet perëndimore.
Në gati një dekadë në pushtet si kryeministër apo si president serb, Aleksandar Vuçiç ka siguruar marrëveshje të rëndësishme për armët ruse, si dhe investime strategjike në sektorin energjetik të Serbisë dhe fusha të tjera, përveç mbështetjes diplomatike të Moskës në përpjekje për t’i kthyer mbrapsht njohjet ndërkombëtare për Kosovën.
Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e një objekti të supozuar humanitar në qytetin serb të Nishit si një post dhe shpellë spiunazhi, një akuzë që të dyja e kanë mohuar.
Para mëse 10 ditëshë një grup ekstremistësh të krahut të djathtë dhe simpatizantë të Putinit u përleshën me policinë serbe në anën serbe të Jarinjes.
Protestuesit ishin të një dege serbe të grupit paramilitar të “Wagner”.
KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Jarinje për arsye sigurie parandaluese, për shkak të prezencës së mundshme të grupeve kriminale në mesin e protestuesve, lajmëroi forca paqeruajtëse.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka quajtur tubimin si episod të nivelit të lartë në luftën hibride serbo-ruse kundër Republikës së Kosovës.
Sipas Sveçlës, të njëjtët aktorë joshtetërorë, të cilët përdoren nga Beogradi dhe Moska, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviq (bashkëpunëtor i organizatës famëkeqe paraushtarake ruse Wagner), po përpiqeshin të thyenin pikën e kalimit kufitar.
“Njerëz të armatosur të maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen e qendrës ruse të spiunazhit në Nish të Serbisë, po përpiqen të minojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive për të larguar vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç shihet se Putini po e humb luftën”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për të përditshmen gjermane Der Spiegel, ka thënë se ka informacione se mercenarë nga Wagner kanë mbërritur në Serbi. “[Presidenti serb] Vuçiq synon të kthehet në të kaluarën, por kjo është e pamundur”, shtoi Kurti.
Shefi i kabinetit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Blerim Vela, ka shkruar në Twitter se këto organizata duhet të ndalohen pasi janë vegla të Beogradit dhe Moskës në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
“Ekstremistët e krahut të djathtë nga Serbia të lidhur me regjimin e Vuçiçit dhe të lidhur me organizatat ruse sapo u përpoqën të sulmonin pikën kufitare Jarinje”, shkroi Vela.
Autoritetet e Kosovës dhe ekspertët vazhdimisht kanë ngritur shqetësimi se Rusia mund të instrumentalizojë akterë lokalë serbë në Kosovë për të përshkallëzuar situatën, në mënyrë që të hap një front tjetër për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina.