Zëdhënësja e Kremlinit Maria Zakharova ka deklaruar se s’mund të ketë kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës me “garanca të forta” të Perëndimit.
“Një kompromis i arritur nën garancat e forta nga Perëndimi vështirë se mund të quhet i qëndrueshëm. Për serbët, çështja kyçe është ajo e formimit të Asociacionit të Komunave [me shumicë] Serbe, e cila duhet të jetë instrument efektiv për realizimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre në kushte të një sistemi përndjekës mbi baza nacionale”, ka deklaruar Zakharova, siç e citoi “Sputnik”.
Zakharova tha se Federata Ruse kërkon që Kosova “të përmbush këtë obligim kyç” referuar Asociacionit, përçka tha se mosformimi i saj e mban “situatën e brishtë me rrezikun konstant të përshkallëzimit të rinuar”.
Ajo madje edhe i ka quajtur negociatat e lehtësuara nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “të pakuptimta”.
“Ndërmjetësimi i BE’së në dialog nuk prodhon rezultate, negociatat janë të pakuptimta, të cilët i japin Prishtinësa mundësinë për të fuqizuar kursin e tyre anti-serb”, ka thënë zëdhënësja.
Deklarata e Zakharovës vjen pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se për heqjen e barrikadave kanë marrl “garanci të forta” nga ShBA, BE dhe NATO se nuk do të ketë “arrestime dhe përndjekje penale” të serbëve protestues si dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë në Veri pa lejen e Komandantit të KFOR’it dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Veri.