Vuçiq: Nuk do ta njohim kurrë Kosovën, NATO s’ka çfarë kërkon në Serbi

Lajme

Vuçiq: Nuk do ta njohim kurrë Kosovën, NATO s’ka çfarë kërkon në Serbi

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 23:09
Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se presioni ndaj Serbisë nuk është zvogëluar për sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, por gjithashtu ka ritheksuar se nuk po i premton askujt në bashkësinë ndërkombëtare asgjë për sanksionet dhe as për Kosovën.

Duke folur për median serbe, TV Prva, Vuçiq ka thënë se “mospremtimi” i tij do të thotë më shumë se “premtimet e tyre”.

“Unë nuk u premtoj atyre asgjë për sanksionet, nuk u premtoj asgjë për Kosovën, dhe “mospremtimi” dhe të menduarit tim do të thotë më shumë se të gjitha premtimet e tyre”, është shprehur Vuçiq, raporton Kosovo Online.

Ndërkohë, ai ka folur edhe për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për Wagner e KFOR-in.

“Wagneri nuk ka çfarë të kërkojë në Serbi, as ata dhe as NATO-ja. NATO mund të vijë sepse ne bashkëpunojmë për Kosovën, sepse rusët e lanë. Por ne bashkëpunojmë edhe me rusët sepse ata janë miqtë tanë dhe na ndihmojnë në Këshillin e Sigurimit”, raportohet të ketë thënë Vuçiq.

Ndër të tjera, sipas Kosovo Online, Vuçiq ka thënë se, “nuk do ta njohë kurrë Kosovën”.

“Ne as që planifikojmë të ndryshojmë Kushtetutën për këtë çështje”, është shprehur ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat