Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka deklaruar se prioritet i Qeverisë serbe është mbrojtja e serbëve në Kosovë.
Bërnabiç ka thënë se nuk mund të ketë kompromis kur bëhet fjalë për “jetët e njerëzve” dhe se gjithçka që bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vitin 2022, tregoi se ai nuk respekton “të drejtat themelore të njeriut sa i përket serbëve, por edhe të joshqiptarëve të tjerë në Kosovë”.
“Viti filloi me heqjen e të drejtës së votës për serbët dhe përfundon me rrëmbimin e serbëve të pafajshëm dhe ndalimin e hyrjes së Patriarkut Porfirio”, ka thënë kryeministrja serbe.
Sipas saj, Serbia dhe serbët kanë paqe vetëm falë presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Duke folur për rrugën evropiane, Bërnabiç vlerësoi se kjo rrugë është më e mira për Serbinë dhe se është në interesin më të mirë të popullit.