Sherri në aeroport: I dyshuari u kap me zyrtarët pasi iu anulua udhëtimi për Gjermani, dërgohet në mbajtje

Lajme

Sherri në aeroport: I dyshuari u kap me zyrtarët pasi iu anulua udhëtimi për Gjermani, dërgohet në mbajtje

Më: 1 janar 2023 Në ora: 10:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Zyrtarët që kujdesen për rendin dhe sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë sulmuar gjatë ditës së djeshme nga një qytetar. Media ka publikuar pamjet e këtij momenti, që u bënë virale, teksa motivi i rastit nuk dihej. Burimet thonë se i dyshuari tashmë ndodhet në mbajtje dhe është zbuluar arsyeja që e shtyri të njëjtin t’iu vërsulej zyrtarëve në aeroport.

Siç mëson media, i dyshuari M.J., 42-vjeçar, fillimisht ishte kapur me sigurimin e aeroportit, e më pas edhe iu vërsul një rreshteri policor, në shenjë mllefi për shkak të anulimit të udhëtimit nga agjencia ku e kishte blerë biletën për Gjermani.

Ky rast ka ndodhur në hyrje të aeroportit, derisa shumë qytetarë të tjerë po prisnin në rend, i njëjti fillimisht ka çmontuar shenjueset që të qojnë drejt sporteleve, duke tentuar që me njërën prej tyre të thyejë një nga sportelet e aeroportit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i sigurimit të Aeroportit, por që qytetari në fjalë ka rezistuar edhe ndaj tij, duke tentuar ta sulmojë edhe atë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat