Janjiq: Do të jetë interesant se çfarë do të thotë Chollet e jo çfarë do t’i thonë atij

Lajme

Janjiq: Do të jetë interesant se çfarë do të thotë Chollet e jo çfarë do t’i thonë atij

Më: 10 janar 2023 Në ora: 09:14
Dushan Janjiq

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka vlerësuar se qëllimi i vizitës së ardhshme të këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet në rajon, është të shihet nëse është e mundur të fillohet një dialog politik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ai ka deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se Chollet, i cili do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën nga 11 deri më 13 janar, do të ballafaqohet me fakte të njohura, detajet dhe incidentet e reja, por që, sipas tij, kjo nuk e dëmton agjendën e tij politike dhe sikur të kishte ardhur në dhjetor.

“Mendoj se Chollet dhe të tjerët (në delegacionin amerikan) kanë ardhur me idenë për të parë nëse është përmbushur kushti për të filluar një dialog politik dhe mendoj se përfundimi do të jetë se dialogut politik është larg, ky është gjykimi im, por le të presim 12 janarin dhe një vizitë në Beograd”, ka thënë Janjiq.

Ai pretendon se “do të jetë më interesante të shihet se çfarë do të thotë Chollet e jo çfarë do t’i thonë atij”.

Ai beson se administrata amerikane për momentin nuk mund të ofrojë asgjë më tepër se që i dërguari i SHBA për Ballkanin Gabriel Escobar dhe të tjerët tashmë kanë paralajmëruar, ose që ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill ka thënë.

Ata thanë se së pari duhet të stabilizohet gjendja e sigurisë ndërsa ajo po bëhet gjithnjë e më keq, ka pretenduar Janjiq.

Ai ka thënë se pasi të përfundojë kjo, do të diskutohet edhe një çështje që askush nuk e ka prekur deri më tani, gjegjësisht “për bashkëpunimin e policisë dhe shërbimeve të sigurisë serbe dhe të Kosovës”.

“As Beogradi nuk e donte këtë, dhe pyetja është se si dhe nëse autoritetet e Kosovës duan të bashkëpunojnë fare në sektorin e sigurisë”, tha ai.

Ai tha se pyetja është nëse politikanët do të bashkëpunojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë apo siç vlerësoi ai “do të vazhdojnë ta çojnë situatën drejt konflikteve të armatosura”.

Sipas tij, këtu është edhe çështja nëse përfaqësuesit e Listës Serbe kanë ndërmend dhe si dhe kur do të kthehen në institucionet e Kosovës, veçanërisht në veri.

Janjiq tha se pyetja është nëse Beogradi, i cili kontribuoi shumë në vakumin e sigurisë, duke tërhequr policët serbë nga veriu, barrikadat dhe ashpërsimin e atmosferës përmes deklaratave të politikanëve, ka ndërmend të ndërpresë këto veprime.

Ai konsideron se ky është rezultat i shumë viteve të “mos angazhimit në dialog, pra, mos angazhimit në punët bazike, në përmirësimin e marrëdhënieve mes njerëzve dhe kombeve dhe jo të përkeqësimit të tyre”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat