Ministrja Donika Gërvalla do të përballet me një kallëzim penal të ngritur ndaj saj. Njëjtë edhe sekretari i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma.
Ish-diplomati i zyrës ndërlidhëse në Serbi, Amir Haziri, deponoi kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore përmes avokatit të tij, Faton Fetahu.
Arsyeja është se po pretendon se i është thyer dera e zyres së vet kur Haziri ishte në pushim.
“Kemi dorëzuar kallëzim penal kundër ministres dhe sekretarit të ministrisë, të cilët kanë urdhëruar që të thyhet zyra e tij, përkundër që ky zyrtar ka qenë në pushim”, tha avokati Fetahu.
Haziri po ashtu ka deponuar padi për shkëputje të marrëdhënies së punës nga Ministria e Jashtme.
Ky i fundit ka thënë se kishte parashtruar kërkesë shumë herë për t’i marrë gjërat e tij personale pas shkëputjes së kontratës së punës por që nuk kishte marrë përgjigje.
Në lidhje me rastin ishte deklaruar edhe vetë kryediplomatja Gërvalla, e cila ka thënë se dera e kësaj zyre nuk ishte thyer por ishte hapur, dhe se është pronë e MPJ’së.