Serbia duket të jetë nën presion të shtuar ndërkombëtar për çështjen e Kosovës, dhe lajmet dramatike prej atje nuk vonojnë si rëndom. Një largim demonstrativ nga selia e partisë nga Vuçiqi, një adresim para popullit në ora 20:00 dhe mbështetje nga vartësit e tij. Çka po ndodh në vendin fqinj?
Takimi që ndodhi të premten në Beograd mes Vuçiqit dhe pesë emisarëve perëndimorë (Lajçakut, Escobarin, Ploetner, Bonne dhe Talo) duket se e ka rritur në përmasa të mëdha presionin ndaj Serbisë.
Presidenti serb Vuçiq pas takimit ka thënë se “ishte më i vështiri ndonjëherë”. Por, raportimet e fundit që paraprijnë një adresim të rëndësishëm para popullit serb në orën 20:00 janë... interesante.
I gatshëm për pension
Vuçiq kishte takuar bashkëpartiakët e tij në Partinë Përparimtare Serbe dhe të cilëve iu kishte thënë se ishte i gatshëm të dorëhiqej.
Mediumi i afërt me regjimin e tij, Pink, shkroi se “kishte informuar kryesinë e partisë për presionet perëndimore ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën” dhe se pak më vonë ishte larguar nga selia e partisë.
Ai iu kishte thënë bashkëpartiakëve se ishte i gatshëm të largohej nëse dikush prej tyre mund të bënte punë më të mirë.
Ky fjalim sipas Pink-ut ishte “emocional”.
Vartësit
Vuçiq sot ishte në takim në Qeverinë e Serbisë i ftuar nga kryeministrja Ana Bërnabiq. Ajo gjatë ditës së djeshme i doli në mbrojtje presidentit të Serbisë në lidhje me presionet që po i vinin për Kosovën
“Nuk do të fshehim asgjë. Politika e presidentit Vuçiq është të flasim hapur plotësisht dhe në mënyrë transparente me njerëzit tanë dhe të themi se çfarë është situata dhe çfarë është në tavolinë,” – u shpreh Bërnabiq duke lënë të hapur edhe mundësinë e një referendumi për çështjen e Kosovës.
Edhe ish-politikani Nebojsha Çoviq e kishte përmendur mundësinë e referendumit pikërisht dje.
Në mbrojtje Vuçiqit i doli edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeqviq.
“Sot nuk është e lehtë të luftosh për Serbinë, të luftosh për përparimin e saj.. Aleksandër Vuçiq pikërisht pse po punon për të mirën e vendit të tij, është vazhdimisht në shënjestër të tradhtarëve, mercenarëve dhe të gjithë atyre që i vënë interesat e tyre para atyre të shtetit. Presidenti i Serbisë e ka mbështetjen time të parezervë ndaj presioneve dhe sulmeve të vazhdueshme.” – u shpreh Vuçeviq në Instagram.
Vuçiq do të dalë para popullit serb sot në orën 20:00 për të folur në lidhje me atë që ishte diskutuar me pesë emisarët perëndimorë.
Sipas shumë analistëve, presioni tashmë është i rritur por edhe i fokusuar në planin franko-gjerman.
Kryeministri Kurti ka deklaruar më herët që Serbia e ka refuzuar këtë plan, duke e maskuar refuzimin përmes tensioneve në veri të vendit.
Por, a do të ketë tensione të reja, pranim të planit apo dorëheqje të Vuçiqit? Mbetet të shihet se çka do të na sjellin ditës, nëse jo edhe orët, e ardhshme.