Mbrëmë është gjetur pa shenja jete në një automjet 48-vjeçari me inicialet N.C., në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, konkretisht në Kaçanik të Vjetër.
Siç njofton Policia, bëhet fjalë për vrasje.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka, ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Policisë.
Tashmë është bërë e ditur se personi që ka mbetur i vrarë është Nusret Cena, i cili ka qenë veteran i UÇK-së.
Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës N.C (M/K) i moshës 48 vjeçar dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
