Ish-analisti i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq tani në shërbim të Aleksandar Vuçiqit, Millovan Drecun, ka shprehur frikën e tij se nëse Kosova anëtarësohet në NATO, situata e sigurisë në Kosovë do të ndryshojë rrënjësisht, gjë që “është shumë e keqe për serbët”, sepse do të rritet rëndësia e Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilat, sipas fjalëve të tij, janë pasardhëse e UÇK-së.
Drecun ka pretenduar se Perëndimi vepron sipas një matrice të caktuar dhe se dhuna ndaj serbëve shihet si incidente individuale për të cilat është përgjegjëse Policia e Kosovës.
“Është shumë shqetësuese që së fundi kemi “një fushatë të vazhdueshme të dhunës nga Prishtina kundër serbëve”. Kemi gjithnjë e më shumë sulme ndaj fëmijëve dhe të rinjve serbë. Kjo është dëshmi se gjithçka që po ndodh është pjesë integrale e politikës e cila synon të ushtrojë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare, mbi serbët në Kosovë dhe Serbinë që ta kthejnë dialogun në drejtimin që i përshtatet Albin Kurtit dhe dëshmi se kriza dhe dhuna nuk do të ndalojë derisa të arrihet një zgjidhje që i përshtatet Prishtinës”, ka pretenduar Drecun dhe ka shtuar se “Perëndimi këtë po e kalon në heshtje”.
Drecun ka thënë se KFOR-i po flet për tri unazat e sigurisë së Kosovës, se e para është Policia e Kosovës, e dyta është EULEX-i dhe e treta është KFOR-i, i cili reagon vetëm në situatat më kritike.
“KFOR-i ka lënë në duart e Policisë së Kosovës të bëjë atë që bën, të zbatojë sundimin e ligjit. Por Prishtina këtë e zbaton vetëm në veri, derisa në jug të Ibrit, sundojnë bandat kriminale dhe nuk ka zbatim të sundimit të ligjit”, ka pretenduar ai.
Drecun ka thënë se “njësitë speciale të Policisë kanë qenë të vendosura në jug të Ibrit dhe herë pas here kanë hyrë në veri, por se Kurti e përdori situatën në lidhje me targat për të ndërtuar baza të përkohshme për ta në veri përgjatë korridoreve të lëvizjes nga jugu në veri”.
“Janë katër baza dhe planifikohet një tjetër, që është veçanërisht shqetësuese sepse kjo do të ishte bazë për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Ministri i tyre i mbrojtjes tha se viti 2023 do të jetë viti i këtyre forcave, me investime në pajisje dhe staf profesional. Duke pasur parasysh atë që edhe presidenti Vuçiq ka potencuar dje, se Perëndimi do ta shtyjë Kosovën në NATO, është e qartë se Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të formohen me shpejtësi. Ky është një rrezik për sigurinë e popullit serb. Përkundër asaj se KFOR-i ka dhënë garanci se këto forca nuk mund të jenë prezente në veri, ajo baza e pestë në zonën e Mokra Gorës tregon synimet e tyre. Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s, kjo do të ndryshonte rrënjësisht situatën e sigurisë dhe do të ishte shumë keq për ne”, ankohet Drecun.
Drecun gjithashtu ankohet për atë se heshtja e pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën për planin evropian është shumë brengosëse.
Ai plan, shton ai, do t’i hapte plotësisht rrugën Kosovës drejt strukturave euroatlantike.