Moska tenton të bllokojë planin franko-gjerman, thirrje Vuçiçit të presë mbarimin e luftës në Ukrainë

Lajme

Moska tenton të bllokojë planin franko-gjerman, thirrje Vuçiçit të presë mbarimin e luftës në Ukrainë

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 15:18
Aleksandar Botsan-Kharchenko

Rusia ka nisur tentativat për të bllokuar planin franko-gjerman. Ambasadori i Moskës në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko ka kërkuar që statuti përfundimtar i Kosovës të përcaktohet pasi të mbarojë lufta në Ukrainë.

Në një intervistë për agjencinë “Beta”, Botsan-Harchenko tha se e kupton që propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Për dallim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plani franko-gjerman nuk është bazë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës. Dhe ky plan, si gjithë të mëparshmet, parasheh lëshime të njëanshme nga Beogradi, në radhë të parë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara. Plani franko-gjerman në thelb përfaqëson njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Perëndimi këmbëngul hapur se Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Duke komentuar qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç se ai do të marrë pjesë në procesin e dialogut për zbatimin e propozimit franko-gjerman, ambasadori rus tha se ai e kupton se Beogradi ishte “i gatshëm” për të vazhduar bisedimet bazuar në atë propozim, shkruan “Danas”.

“Unë mendoj se për presidentin e Serbisë vetëm disa pika të atij plani janë të pranueshme për diskutim dhe zbatim. Në çdo rast, pikat që parashikojnë njohje ndërkombëtare nuk janë të pranueshme për Serbinë. “Për Perëndimin, pika më e rëndësishme është ajo që parasheh anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, tha ambasadori.

Në pyetjen nëse Rusia në Këshillin e Sigurimit do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, në qoftë se presidenti Vuçiç pranon të gjitha pikat e planit franko-gjerman, Botsan-Kharchenko tha se për Rusinë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, do të jetë pozicion i rëndësishëm i Beogradit.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë, presidenti Vuçiç ishte i vendosur dhe i qartë se e hodhi poshtë planin franko-gjerman. Nuk e di pse media të caktuara theksojnë se presidenti Vuçiç mund ta pranojë atë plan kur tha se është i papranueshëm për Beogradin. Nuk mendoj se ka as më të voglin mundësi që Serbia të pranojë planin franko-gjerman”, tha Botsan-Kharchenko.

Por, cilat do të ishin kushtet, në bazë të cilave Rusia do të pranonte që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, Botsan-Kharchenko tha se Rusia nuk e njeh Kosovën.

“Tash është e pamundur t’i përgjigjemi pyetjes suaj, sepse askush nga ne në këtë moment nuk e di se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës. Çështja e Kosovës do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të lindin pas përfundimit të konfliktit mes Perëndimit të përbashkët dhe Rusisë. Në kushtet aktuale gjeopolitike, nuk është e mundur një zgjidhje afatgjatë për disa çështje të hapura rajonale, përfshirë Kosovën”, theksoi ambasadori rus.

Duke folur për marrëdhëniet politike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ambasadori rus në Serbi tha se këto marrëdhënie janë mbajtur në nivel të lartë.

“Bashkëpunimi me Serbinë po përparon në të gjitha sferat dhe ka dialog në të gjitha nivelet. Gjëja më e rëndësishme për ne është se Beogradi nuk vendosi sanksione ndaj Federatës Ruse, pavarësisht presionit nga Perëndimi. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin e pavarur të Beogradit për këtë çështje. Serbia është e rrethuar nga anëtarët e BE-së dhe NATO-s dhe për këtë kemi pasur pengesa në bashkëpunimin ekonomik në një periudhë, por në ndërkohë këto probleme janë tejkaluar”, tha ambasadori rus.

Ai shtoi se Rusia ishte “e zhgënjyer” kur Serbia votoi për rezolutën e OKB-së që dënonte “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat