Pse Serbia po investon miliona euro në armatime të reja? Mediat serbe “kryqëzojnë” Vuçiqin

Lajme

Pse Serbia po investon miliona euro në armatime të reja? Mediat serbe “kryqëzojnë” Vuçiqin

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 16:37
Aleksander Vuçiq

Armatosja e re e Serbisë dhe rritja e nivelit të frikës tek qytetarët përfaqëson sistemin e qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit. Kështu shprehen mediat serbe, të cilat kanë nisur kritikat ndaj presidentit, i cili ka rikthyer retorikën e armatimit.

“Danas” ka pyetur disa analistë serbë të cilët shprehen se në vend që të shpenzojë miliona për armatim, do të ishte më e leverdishme që ai të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve më të mira me fqinjët e tij në rajon.

Mirëpo, sipas vlerësimit të tyre, Vuçiç ka dëshmuar disa herë se nuk mund të notojë në ujëra të qeta.

Për t'ju kujtuar, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha nga panairi ndërkombëtar i armëve në Abu Dhabi se “Ushtria serbe duhet të jetë shumë më e fortë” se sa është sot, edhe pse është “më e fortë se sa ishte”.

Miroslav Paroviç nga Lëvizja për Liri Popullore beson se Vuçiç ka siguruar pikë ndërkombëtare për veten e tij duke blerë armë - "pak nga rusët, pak nga kinezët, pak nga francezët, pak nga amerikanët". Në fund, siç thotë ai, në ushtri nuk është përputhur asgjë dhe për shumë nga armët e blera nuk ka fare staf që mund t'i përdorë.

“Njoftimet e reja të Vuçiçit nënkuptojnë se ai do të shkojë në drejtim të nënshkrimit të një marrëveshjeje strategjike me një nga vendet e NATO-s dhe më pas, në bazë të asaj marrëveshjeje, blerja e armëve do të shkojë sipas standardit perëndimor, gjë që do të ndryshojë kursin rus”, tha Paroviç.

Kurse Biljana Stojkoviç, bashkëkryetare e partisë Zajedno, beson se armatosja dhe rritja e nivelit të frikës tek qytetarët përfaqëson sistemin qeverisës të Aleksandar Vuçiçit.

Sipas saj, ai në mënyrë të dëshpëruar po gjen mënyra për ta larguar temën nga Kosova dhe në të njëjtën kohë për të frikësuar sa më shumë njerëz në Serbi.

“Natyrisht, nevojat e përditshme të qytetarëve të varfër janë diçka krejtësisht tjetër, por ballafaqimi me ato probleme nuk mund të çojë në mbijetesën e Vuçiçit në pushtet, gjë që i intereson. Në këtë kontekst, nuk mund të pritet që ai të zhvillojë një dialog, të bashkojë vendet e Ballkanit Perëndimor rreth një politike paqeje dhe bashkëpunimi, sepse ai nuk di të notojë në ujëra të qeta, si çdo autokrat. Për këtë arsye është e qartë se Vuçiç është pjesë e problemit për paqen në Ballkan dhe këtë e dëshmon me armatim intensiv”, thekson Stojkoviç.

Për Aleksandar Olenik, deputet i pavarur i Kuvendit të Serbisë, në vend që të shpenzojë miliona për armatim, do të ishte më e thjeshtë që Serbia të bëhet anëtare e NATO-s. Sepse, siç thotë ai, vetëm si anëtare e NATO-s, Serbia realisht mund të sigurojë paqe, stabilitet dhe siguri për të gjithë qytetarët. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat