Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, ka deklaruar se nuk pret heqjen e pengesës kryesore në përparimin e dialogut. Sipas tij kjo pengesë është mos-formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në anën tjetër, ai u shpreh se Serbia e kishte dëshmuar se nuk vepronte në "kurriz të Kremlinit".
“Serbia ka arritur t’i rezistojë përpjekjes për imponimin e narrativës se është dorë e zgjatur e Rusisë,” – u shpreh ai për RTS, përcjell Kosovo-Online.
Staroviqi u shpreh për tensionet e fundit në veri se kishte pasur përpjekje që të akuzohej Serbia se po e sulmonte dikë “në kurriz të Kremlinit” por sipas tij u dëshmua që vendi i tij sillej në mënyrë të pavarur.
Sipas tij, Serbia duhet të jetë këmbëngulëse në kërkesën e saj për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Staroviq u shpreh se interesi suprem i Serbisë është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon.