Zënkat e mosmarrëveshjet e ndryshme mes qytetarëve, shpesh herë përfundojnë duke u trajtuar nga organet e drejtësisë. Por të njëjtit nuk i kursejnë as hapësirat e Gjykatave për t’i qëruar hesapet me njëri-tjetrin përmes kërcënimeve e me raste edhe përleshjeve fizike.
Kështu ka ndodhur së fundi në Gjykatën Themelore në Pejë, ku dy persona të cilët kishin shkuar atje për t’u paraqitur në seancë gjyqësore për një rast që ishin përfshirë më herët, dyshohet se kanë kërcënuar njëri-tjetrin.
Burimet e medias kanë bërë me dije se derisa 51-vjeçari po qëndronte në korridorin e Gjykatës, ka arritur edhe i dyshuari tjetër, 57-vjeçar.
I dyshuari i parë dyshohet se ka nisur ngatërresën, duke iu drejtuar të dyshuarit të dytë me fjalët ‘p*der mashkull’ dhe të njëjtin dyshohet se e ka kërcënuar se e thyen në kurriz.
Mësohet se i dyshuari i dytë ka informuar trupin gjykues lidhur me atë që ka ndodhur dhe si rrjedhojë seanca është shtyrë. 57-vjeçari ka refuzuar të denoncojë rastin e kanosjes në Polici, duke thënë se çështjen do e zgjidh vetë posa të zbres poshtë.
Si rezultat i kësaj, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’.