Sot ditëlindja e Adem Demaçit

Lajme

Sot ditëlindja e Adem Demaçit

Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 09:23
Adem Demaçi

Sot 87 vjet më parë është lindur simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi është lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ka qenë veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi ka vuajtur 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi është liruar, ai menjëherë ka vazhduar aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi ka udhëhequr Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 është nderuar nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur janë mbajtur takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së.

Demaçi ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, është bërë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptar, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Adem Demaçi ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut”, i cili është ndaluar nga regjimi ish-komunist. Ai e ka parë dritën pas viteve nëntëdhjeta.

Adem Demaçi ka ndërruar jetë në pasditen e 26 korrikut të vitit 2018. Në nderim të tij, janë organizuar shumë aktivitete shtetërore si dhe janë mbajtur tri ditë zie në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat