Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se sonte do të flasë për propozimin evropian për marrëdhëniet Kosovën dhe se ajo që është publikuar në ueb faqen e Bashkimit Evropian është dëshmi “se ai nuk ka gënjyer asgjë” në Kuvendin e Serbisë.
“Dje mora lëvdata për politikën shumë konsistente që paraqita”. Do ta përsëris sonte. Ne e shohim situatën në Kosovë ndryshe në krahasim me 22 vendet e BE-së. Kjo nuk është nga dje, nuk është nga sot, as nga viti 2008. Si tash papritur u befasuan të gjithë, kur unë personalisht i lexova të gjitha ato nene të vështira të marrëveshjes në Parlamentin serb? Po, të gjithë në ndërkohë flinin dhe bënin sikur nuk po dëgjojnë”, pyeti Vuçiq.
Ai ka shtuar se sonte do të “flasë tërësisht dhe në detaje për çdo pikë të marrëveshjes”.
“Unë nuk kam fshehur asgjë prej njerëzve. Nuk do ta bëj as sot, nuk e bëra dje, nuk do ta bëj as nesër. Edhe nga ato që publikuan, e patë që nuk kam gënjyer asnjë shkronjë kur kam qenë në Kuvend. Unë nuk fsheha asgjë. Ata e dinë shumë mirë në BE atë që i thashë Macronit, Scholz-it dhe zonjës Meloni dhe secilit prej “miqve tanë” evropianë”, ka thënë Vuçiq.