Kryetari i Lëvizjes “Dashuria, Besimi, Shpresa” në Serbi, Nemanja Sharoviq, ka thënë sot se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mbajë përgjegjësi për ndarjen e integritetit të Serbisë, sepse ai e pranoi Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sharoviq para Presidencës së Serbisë u tha gazetarëve se Vuçiq duke pranuar këtë marrëveshje ka kryer veprën penale të shkeljes së rendit kushtetues për dëmtimin e integritetit të Serbisë, për të cilën parashihet dënimi me burgim afatgjatë, shkruan Tanjug.
“Po i them Aleksandar Vuçiqit, tradhtarit dhe turpit të popullit serb, do të përgjigjet në një moment. Unë nuk e kërcënoj me vrasje, pasi i pëlqen të luajë viktimën, por i garantoj se kjo kohë do të kalojë dhe se as Pink, as Happy, as pasardhësit e tij në drejtësi nuk mund ta shpëtojnë nga gjykata e historisë” ka thënë Sharoviq.
Sipas tij, kjo është hera e parë në historinë e diplomacisë dhe të së drejtës ndërkombëtare që presidenti i një vendi thotë se do të zbatojë një marrëveshje që gjoja nuk e ka nënshkruar.
“Ai e pranoi, por gënjen për të qetësuar qytetarët e Serbisë”, tha Sharoviq