Aktakuzë ndaj mjekut në QKUK, ngarkohet se ia mori një personi mbi 9 mijë euro

Lajme

Aktakuzë ndaj mjekut në QKUK, ngarkohet se ia mori një personi mbi 9 mijë euro

Më: 7 mars 2023 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër E.L., i cili ngarkohet se në cilësi të mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, e mashtroi një person duke ia marrë mbi 9 mijë euro, me premtimin se do t’ia punësonte nusen e djalit të tij, si infermiere në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Prokurori, ku thuhet se E.L., nga 8 shkurti 2023, gjendet në masën e paraburgimit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas aktakuzës, nga data e pavërtetuar gjatë muajit maj të vitit 2021 e në vazhdimësi deri në muajin nëntor të vitit 2021, në njërin prej lokaleve në fshatin Korishë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri E.L., përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtron duke e vënë në lajthim të dëmtuarin Sh.R., dhe me këtë e nxit të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë i pandehuri shkon si klient në lokalin e lartpërmendur pronë e të dëmtuarit, të cilit i prezantohet si mjek që punon në QKUK në Prishtinë, dhe i dëmtuari e njofton të pandehurin se nusja e tij përkatësisht bashkëshortja e djalit të tij, me profesion është infermiere dhe është e papunë dhe dëshiron që e njëjta të punësohet si infermiere në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se i pandehuri E.L., e njofton të dëmtuarin se ka njerëz që munden ta punësojnë nusen e djalit, duke kërkuar nga i dëmtuari të holla me qëllim të punësimit të nuses së tij.

I pandehuri gjatë muajit maj të vitit 2021, takohet në lokalin e të dëmtuarit nga i cili në emër të punësimit të nuses së tij pranon shumën prej 4.000€, dhe i pandehuri pasi i merr këto të holla, vazhdon të kërkojë të holla nga i dëmtuari kinse për nevoja të tij personale, ku i dëmtuari nga muaji qershor të vitit 2021 deri në muajin nëntor të vitit 2021, në periudha të ndryshme kohore të pandehurit në disa pjesë i jep të holla në vlerë prej 5.650€, dhe i pandehuri pas pranimit të hollave, nuk arrin ta punësoj bashkëshorten e djalit të të dëmtuarit, dhe të hollat që i ka marrë në emër të këtij shërbimi të premtuar si dhe të hollat që i kishte marrë kinse për gjëra të tij personale, nuk ia kthen të dëmtuarit, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë prej 9.650 €”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri E.L., akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në fund.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat