E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën pretendon se mbrëmjen e kaluar zyrtarë të njësisë speciale i kanë rrahur dy të rinj serbë në fshatin Joshanivë, afër Leposaviqit.
E tash, doli e foli edhe njëri prej tyre, Llazari, për një medium serb nga Kosova.
Zyra e drejtuar nga Petar Petkoviq kërkoi që për këtë rast të pretenduar të reagonte edhe Bashkimi Evropian, derisa i drejtoi gishtin e fajësisë institucioneve të Kosovës.
Por, cili është pretendimi i serbit të ri nga Joshanica?
“Një shok nga fshati, Gjorgje Miqoviq, erdhi te dyqani im dhe më ftoi të shkoja ta kërkonim telefonin që i kishte rënë diku. Ishte ora rreth 7:00 e mbrëmjes. Pas nja një kilometër e gjysmë... pamë disa vetura prapa nesh... Një polic special vrapoi drejt nesh me armë automatike, dhe na kërkoi që të zbrisnim nga vetura. Na larguan nga vetura dhe menjëherë na hodhën në tokë, ku edhe nisën të na godisnin,” – tha Llazar Gjokoviq.
Më tej, Llazari shtoi se ishin liruar pasi iu kishin treguar policëve se jetonin aty në fshat.
“Ishin shtatë apo tetë anëtarë të policisë, që i mbanin armët të drejtuara kah ne ndërsa ishim përtokë. Koka dhe syri më dhëmbin më së shumti. Nuk shihja mirë deri sot në mëngjes...” shtoi më tej ai.
Edhe Llazari por edhe shoku i tij pretendojnë se kanë shkuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut.