Megjithëse Policia e Kosovës e mohon se është raportuar rrahja e dy të rinjve serbë në fshatin Joshanicë, afër Leposaviqit, protesta ka vazhduar. Baballarët e dy të rinjve po thonë se mund ta radikalizojnë protestën nëse policët tanë (sic) “vazhdojnë të sillen si banditë”.
Miloica Gjokoviq, babai i të rrahurit Llazarit, tha se sot u mblodhën për një protestë në një vend që është një kilometër larg hyrjes në fshatin Joshanicë në lidhje me incidentin në fjalë.
Ata përsëritën pretendimet se të bijtë e tyre ishin rrahur nga zyrtarë të njësisë speciale policore të Kosovës.
“Fëmijët nuk kanë pasur asgjë në makinë,” – tha Gjokoviqi.
“Në periudhën në vazhdim presim ta radikalizojmë protestën nëse nuk vijnë në vete dhe e kuptojnë se kjo është serioze... Unë do t’u thosha të qetësohen dhe të mos sillen me arrogancë,” – u shpreh z. Gjokoviq më tej.
Ndërkohë, babai i serbit tjetër që pretendohet se është rrahur, Dragosh Miqoviqi, tha se dje kanë kontaktuar me EULEX-in dhe se të rinjtë e rrahur janë marrë në pyetje për më shumë se një orë.
“Ai (një polic austriak i EULEX-it) u angazhua aq sa mundi dhe u përpoq që të vinin inspektorët për të ekzaminuar fëmijët tanë... ata inspektorë (të EULEX-it) na thanë se nuk ka asnjë grimë faji te fëmijët tanë, se është e qartë si dita se janë rrahur brutalisht dhe tani gjithçka varet nga prokurori publik,” – u shpreh Miçoviqi.