Në seancën e së enjtes së kaluar, deputetët e Kosovës nuk votuan pro projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilues të Asistuar. Njëri ndër ta ishte edhe deputeti nga radhët e Guxo, Burim Meta, i cili tregoi arsyet e abstenimit.
Meta theksoi se ky projektligj ka nevojë për ndërhyrje nga Ministria e Shëndetësisë.
“Kam qenë i përmbajtur me një grup mjekësh për të cilët vlerësuam që një ligj i tillë akoma nuk ka mbushur mendjet tona që të shkojë me të vërtetë kështu edhe në lexim të dytë, dhe kemi abstenuar duke dhënë mundësinë që ligji të shkojë në lexim të dytë, përmes Komisionit prapë, por të japim një input që me të vërtetë ky ligj ka nevojë për ndërhyrje edhe njëherë nga sponsorizuesi, konkretisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe pastaj të vie te ne”, deklaroi ai.
Tutje, deputeti Meta komentoi edhe deklaratën e nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci e cila ka thënë se për të “ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca…e jo me ma determinu një burrë, që unë duhet medoemos të kem një burrë me të cilin martohem për t’u bërë nënë”.
Sipas tij, Bogujevci ka qenë më e emocionuar se që duhet kur e ka thënë këtë deklaratë.
“Natyrisht, nënkryetarja e Kuvendit, Bogujevci, absolutisht vlerat e saj nuk mund t’i konteston askush…por si duket, siç e pamë ka qenë më e emocionuar se që duhet, dhe natyrisht është shprehur jo në realitet për vetën e saj…pas disa ditësh ka treguar që ka edhe të dashurin e saj, dhe jo që në mënyrë shkencore, mënyrë të asistuar, tanimë do të bëhet nënë”, shtoi ai.
Përveç Metës, këtë projektligj e abstenuan edhe nëntë deputetë të tjerë.