Analisti serb nga Kosova, Ognjen Gogiq, ka komentuar po ashtu marrëveshjet e Ohrit por duke shprehur skepticizëm të madh.
Gogiq shprehet në një shkrim në Facebook se në fakt nuk ishte arritur kurrfarë marrëveshje e cila do të zgjidhte problemet reale në Kosovë.
Sipas tij, e vetmja arsye pse kishte ndodhur një marrëveshje e tillë ishte që burokratët e BE-së (Borrelli e Lajçaku) të shkruanin një raport pozitiv në lidhje me këtë çështje.
Në këtë synim, ai beson që këta dy janë ndihmuar edhe nga Vuçiqi e Kurti.
“Vuçiqi e Kurti u pajtuan që t’i bënin favor BE-së në atë formë që Lajçaku e Borrelli të shkruanin një raport pozitiv për shefat e tyre.” – argumenton ai.
Në këmbim, ai beson që Kurti mori heqjen dorë të Kosovës nga formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, me situatën aktuale në terren ku serbët në veri kanë braktisur dhe nuk janë kthyer ende në institucionet e Kosovës, ka rënë marrëveshja e Brukselit e 10 viteve më parë.
Shkrimi i tij:
Saktësisht një muaj më vonë do të bëhen 10 vjet prej që Daçiqi dhe Thaçi e nënshkruajtën Marrëveshjen e Brukselit. Marrëveshja e Brukselit ofroi për serbët në veri të Kosovës mundësinë që të nitegroheshin në institucionet e Kosovës duke u përfshirë në komunat e saj, policinë dhe gjyqësinë. Në këmbim, u premtua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që do të lehtësonte integrimin e serbëve në veri në sistemin e Kosovës, duke krijuar iluzionin se do të merreshin me punët e tyre pa ndërhyrjen e Prishtinës. Asociacioni nuk u formua kurrë, dhe serbët në veri ndërkohë kanë braktisur institucionet e Kosovës. Marrëveshja e Brukselit, në fakt, është shfuqizuar.
Në vend se ta përcaktojnë balansin e Marrëveshjes së Brukselit, burokratët evropianë që janë garantuesit e zbatimit provuan të maskonin fundin e saj me një marrëveshje të re. Kësisoji pamë Propozimin Franko-Gjerman që supozohej të shërbente si tepih nën të cilin të gjitha dështimet në implementim të gati 40 marrëveshjeve të kaluara do të fshiheshin. Shitësit e mjegullës në BE u bënë aq të dëshpëruar sa pranuan që të ngatërroheshin dhe donin thjesht të nënshkruanin diçka për të treguar se kishin kontroll mbi situatën në kohën e luftës në Ukrainë.
Marrëveshja e bërë dhe e masakruar në këtë formë nuk zgjidhë asgjë sepse nuk kishte për qëllim të zgjidhte asgjë. Ajo nuk përmbush nevojat e komuniteteve që jetojnë në këtë zonë por interesat e BE-së, që duhet të shpjegojë pagën e Lajçakut në tri vitet e fundit. BE-ja ka gjetur frymëzim për veprimet e saj te administrata Trump që tregoi se liderët e Ballkanit mund të detyrohn të nënshkruajnë marrëveshje boshe vlera e të cilave matet me një postim të vetëm në Twitter. Vuçiqi dhe Kurti u pajtuan që t’i bënin favor BE-së në atë formë që Lajçakut e Borrelli të shkruanin një raport pozitiv për shefat e tyre. Në këmbim, ata lejuan Vuçiqin që të mos bënte marrëveshje me Kosovën por me BE-në, dhe Kurtin që të hiqte qafe storien e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ballkani është ndoshta e vetmja pjesë e botës ku Bashkimi Evropian ka një farë force. Është treguar tashmë se as në këtë zonë BE-ja mund të bëjë vetëm demagogji dhe storie boshe për të mbuluar problemet me improvizime dhe simulacione.