Bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani ka ndarë me ndjekësit e saj në Facebook temën e diplomës së bashkëshortit në drejtimin si ushtarak karriere në fushën e komunikacionit në kazermën “Ivan Goshnjak” në Zagreb.
Ramadani e ka cilësuar postimin e kësaj teme si tejet të rëndësishme për FSK-në, e cila sipas saj ka nevojë të formësohet sa më profesionalisht.
“Meqë shum nga ju keni njohur Agimin,por nuk keni pasur rastin të njifni bukurshkrimin, përkushtimin dhe njohuritë e thella që posedonte në fushën që përcaktohej për ta studiuar, po ndaj me ju sot punën e madhe që ka bërë në temën për diplomim në drejtimin si ushtarak karriere në fushën e komunikacionit,në kazermën “Ivan Goshnjak”në Zagreb, duke qenë e bindur se edhe sot kjo temë është tejet e rëndësishme për ushtrinë tonë (FSK)e cila duhet të formësohet sa më profesonalisht që është e mundur,” ka shkruar zonja Ramadani.
Midis tjerash, ajo ka shprehur keqardhjen pse ende nuk është përkthyer diploma e të ndjerit, për të cilën thotë se Agimi ka punuar me dashuri, përkushtim e profesionalizëm.
Kujtojmë se Agim Ramadani i njohur ndryshe me pseudonimin KATANA përfaqëson një ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht në prill të vitit 1999.