Kryetari i Partisë Popullore Demokratike (DNP) në Mal të Zi dhe një nga liderët e Frontit Demokratik (dy parti këto pro-serbe) Millan Knezheviq, ka thënë se partia e tij nuk do ta vë në pikëpyetje anëtarësimin e Malit të Zi në NATO e as pavarësinë e tij.
Këto komente ai i bëri gjatë ditës së djeshme në televizionin malazez “Vijesti”.
“E respektojmë se Mali i Zi është vend i pavarur dhe anëtar i NATO-s dhe se nuk do ta rishqyrtojmë këtë çështje”, citohet të ketë thënë Knezheviq.
Ai tha se nuk beson se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, si president i të gjithë qytetarëve “duhet të respektojë edhe qytetarët që e konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë”.
Ndër të tjera, kreu i DNP-së thotë se me Serbinë do të vazhdojnë të mbajnë raporte të afërta, sado që do të kenë presione.
“Ne kemi vendosur një moratorium për çështjet që na ndajnë. Për mua, Brukseli nuk mund të jetë më afër Beogradit, sado që të më bëjnë presion”, tha Knezheviq.
Ai tha se partia e tij dëshiron të jetë partnere me ata “që duan të luftojnë kundër trashëgimisë së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS)”, parti kjo e tashmë ish-presidentit Millo Gjukanoviq, dhe shtoi “se është e rëndësishme që ata që e festuan fitoren e Millatoviqit me flamurin trengjyrësh (të Serbisë, shën.red.), këngë për Kosovën dhe bashkimin me Serbinë, të dëgjohen nëse ka kornizë për bashkëpunim me FD-në, siç ekziston në nivel lokal”.
Kujtojmë se presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka deklaruar se nuk do ta shqyrtojë çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.