Serbi që sulmoi dje zyrtarin policor në Jarinje pritet që edhe sot të paraqitet para gjykatësit

Lajme

Serbi që sulmoi dje zyrtarin policor në Jarinje pritet që edhe sot të paraqitet para gjykatësit

Më: 8 prill 2023 Në ora: 13:01
Milos Deleviq

Milos Deleviq, avokati i Nikola Todoroviq që u arrestua dje, ka thënë se klienti pritet që të paraqitet edhe sot para gjykatësit, pasi sulmoi një zyrtar të Policisë së Kosovës në Jarinje.

“Kosovo-Online” raporton se do të vendoset se si do të shkohet me lëndën.

“Të shtunën, ai do të paraqitet para gjykatësit sërish, i cili do të vendos si të shkojë tutje me këtë çështje.” – tha ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës mbrëmë konfirmoi se një qytetar serb është arrestuar në Jarinje, i cili pasi ishte ndaluar, ka sulmuar një prej zyrtarëve duke i shkaktuar edhe lëndime trupore.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani,  ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 16:30.

“Arrestohet një i dyshuar për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ Prishtinë, 7 prill 2023 Në Pikën e kalimit Kufitar në Jarinje, sot më 07.04.2023, rreth orës 16:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një shtetas i Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Republikën e Kosovës.” – ka thënë ai.

Kelani ka bërë të ditur se i njëjti pasi iu refuzua hyrja në Kosovë, ka filluar të fyej zyrtarët policorë, dhe më pas, ka sulmuar njërin nga zyrarët policorë.

“Pas refuzimit për të hy në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar. Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.” – tha ai.

Në fund, Kelani ka bërë të ditur se: “Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor. Për rastin është njoftuar prokurori, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat