Serwer: Kurti është përgjegjës për ringjalljen e konceptit jugosllav të "vetëmenaxhimit", Asociacioni pa kompetenca ekzekutive

Lajme

Serwer: Kurti është përgjegjës për ringjalljen e konceptit jugosllav të "vetëmenaxhimit", Asociacioni pa kompetenca ekzekutive

Më: 10 prill 2023 Në ora: 17:47
Daniel Serwer

Është hera e parë që një koncept i këtillë jugosllav për “vetëmenaxhim” është ringjallur në kontekstin Kosovë/Serbi, thotë profesori amerikan, Daniel Serwer,  pyetur rreth asaj se si e sheh frazimin “vetëmenaxhim për komunitetin serb” në Kosovë dhe se a do të thotë kjo“autonomi politike” siç pretendon pala serbe apo do të jetë thjeshtë një platformë për bashkërendimin e punëve të komunave të banuara me shumicë serbe.

Serwer, thotë se mendon që “përgjegjës për ringjalljen e këtij koncepti jugosllav” është vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Gjithashtu, profesori amerikan shtron pyetjen se pse është zhvendosur referenca në “komunitetin serb” prej “komunave të banuara me shumicë serbe”.

“Nuk e di. Kjo është e para herë që ky koncept jugosllav u ringjall në kontekstin Serbi/Kosovë. Më duket mua që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është përgjegjës për këtë. Më së miri ta pyesni atë nëse është përgjegjës dhe çfarë u nënkuptua me këtë, gjithashtu edhe për referencën e komunitetit serb në vend të Komunave të banuara me shumicë serbe,”- tha Daniel Serwer.

Por, një gjë të cilën Serwer assesi nuk e sheh të mundshme dhe të bëshme është që Asociacioni i Komuanve të banura me shumicë serbe, i cili është në procesin e draftimit nga Ekipi Menaxhues, të ketë edhe pushtete ekzekutive. Kjo ngase sipas tij, ekziston një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese dhe garancat perëndimore.

“Sërish, kjo është një pyetje që duhet shtruar kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq, jo mua. Nuk bëhet fjalë për pushtete ekzekutive, edhe për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese por edhe për shkak të shumë zotimeve të dhëna nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” - tha Daniel Serwer.

Në lidhje me atë se si e sheh pjesën e dytë të Nenit 7 ku kërkohet formalizimi i Statusit (disa thonë Special) i Kishës Ortodokse Serbe dhe pyetur se a e sheh se mund të shkohet në njëfarë varianti të Marrëveshjes Themeltare mes KOS-së dhe Malit të Zi, Serwer thotë se jo domoshmërisht. “Nuk është e thënë që Marrëveshja të jetë e llojit të njëjtë me të Malit të Zi. Por, një marrëveshje rreth statusit të Kishës dhe pronës së saj mua më duket si ide e mirë,” përfundoi ai.

Çfarë po ndodh me Asociacionin?

Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe është në draftim e sipër ndërsa draft-Statuti i parë pritet të bëhet publik javëve në vijim. Hartimi i saj do të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015.

Pala nga Kosova në bisedimet e Ohrit ka paraqitur 3 shtylla sipas të cilës ky Asociacion është i bëshëm: Kushtetuta e Kosovës dhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, qëndrimi i BE-së i shprehur nga Letra e Ish-Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa se ky Asociacion nuk do të përbëjë nivel të ndërmjetmë të pushtetit si dhe Op/Ed-i botuar më 31 janar të këtij viti nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat